FERIZAJ / GJERMANI — Tre pjesëtarë të një familjeje nga Komogllava e Ferizajt kanë humbur jetën tragjikisht në një aksident rrugor të ndodhur të enjten në mëngjes në autostradën A3, pranë Nittendorfit në rrethin e Regensburgut, në Gjermani.
Viktimat janë identifikuar si Tahir Aliu, 61 vjeç, djali i tij Gentian Aliu, 34 vjeç, dhe nipi i tyre Laurent Aliu, 16 vjeç, të cilët po udhëtonin drejt vendit të tyre të banimit.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, automjeti me të cilin udhëtonin ka dalë nga rruga për shkaqe ende të paqarta, ka rrëshqitur poshtë një argjinature dhe ka përfunduar mbi shinat hekurudhore që kalojnë nën autostradë.
Për shkak të pozicionit të makinës, operacioni i shpëtimit ka qenë tejet i vështirë. Për nxjerrjen e viktimave, të cilat kishin mbetur të bllokuara brenda mjetit, është dashur ndërhyrja e specializuar e një vinçi.
Autoritetet policore dhe gjermane të hetimit kanë nisur verifikimet për të zbardhur shkaqet e plota dhe dinamikën e këtij aksidenti të rëndë.




