“Shqipëria nuk ka nevojë për më pak bashki”/ Boçi: Ka nevojë për decentralizim, jo centralizim

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi ka reaguar pas publikimit të raportit paraprak të Këshillit të Europës për zbatimin e Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Vendore, duke e lidhur atë me debatin për reformën territoriale të vitit 2026.

Sipas Boçit, gjetjet e raportit bien ndesh me argumentet e qeverisë për një hartë të re territoriale me më pak bashki, duke pretenduar se problemi kryesor i pushtetit vendor në Shqipëri nuk lidhet me numrin e njësive vendore, por me mungesën e kompetencave reale dhe autonomisë financiare.

“Problemi nuk është se Shqipëria ka shumë bashki. Problemi është se ato kanë shumë pak pushtet”, u shpreh Boçi, duke sjellë në vëmendje katër çështje që sipas tij evidentohen edhe në raport, mungesën e kompetencave, financimin e pamjaftueshëm, varësinë nga qeveria qendrore dhe dobësinë administrative.

Në reagimin e tij, deputeti demokrat argumenton se një reformë territoriale nuk duhet të matet me numrin e bashkive që ndryshojnë në hartë, por me cilësinë e shërbimeve që marrin qytetarët dhe nivelin e autonomisë së pushtetit lokal.