Elbasan, nis aplikimi për kartën e parkimit për rezidentët

Screenshot

Banorët e zonave të Elbasanit ku zbatohet sistemi i parkimit me pagesë për rezidentët mund të aplikojnë për t’u pajisur me Kartën e Parkimit për Rezidentët.

Sipas njoftimit të Bashkisë Elbasan, aplikimet kryhen pranë Rajonit Administrativ përkatës. Për të përfunduar procedurën, qytetarët duhet të paraqesin dokumentin që vërteton rezidencën, si certifikata familjare ose dokumenti i rezidencës, si edhe lejen e qarkullimit të automjetit.

Tarifa vjetore për pajisjen me kartën është 2 mijë lekë. Pagesa kryhet në Rajonin Administrativ dhe, pas përfundimit të saj, qytetarit i lëshohet mandat-arkëtimi zyrtar.

Në njoftimin e saj, Bashkia Elbasan bën me dije:

“Për kartën e parkimit mund të aplikojnë të gjithë qytetarët rezidentë në zonat ku aplikohet sistemi i parkimit me pagesë/rezident. Pagesa e tarifës përkatëse bëhet direkt te Zyra e Rajonit tuaj Administrativ. Për çdo pagesë të kryer, do t’ju lëshohet menjëherë mandat-arkëtimi zyrtar sipas rregullave financiare në fuqi.

Paraqituni pranë zyrave të Rajonit tuaj Administrativ. Dorëzoni dokumentacionin e nevojshëm identifikues dhe të mjetit (certifikatë familjare/rezidencë, leje qarkullimi të mjetit). Kryeni pagesën e tarifës vjetore prej 2000 lekë dhe merrni dokumentin e arkëtimit.”

Për informacione ose sqarime të mëtejshme mbi procedurën, qytetarët mund t’i drejtohen Rajonit Administrativ përkatës ose Sektorit të Menaxhimit të Transportit Publik në Bashkinë Elbasan.