Një aksident rrugor është regjistruar mesditën e së hënës në afërsi të fshatit Drizë, pranë qytetit të Gramshit, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar disa metra poshtë saj.
Në automjet udhëtonin babë e bir. Si pasojë e aksidentit, 75-vjeçari ka mbetur i plagosur, ndërsa djali i tij, i cili drejtonte mjetin, ka pësuar vetëm lëndime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e Policisë, ekipet e urgjencës dhe zjarrfikësit e Bashkisë Gramsh. Falë ndërhyrjes së tyre, i moshuari u nxor nga automjeti, mori ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas u transportua me ambulancë në spital, ku po merr trajtim mjekësor.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë një defekt teknik në automjet, ndërsa grupi hetimor po punon për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes.





