Shkumbini mes rënies së nivelit të ujit dhe ndotjes: si po ndikojnë ndryshimet klimatike?

Screenshot

Lumi Shkumbin po shfaq gjithnjë e më shumë shenja të rënies së prurjeve, një fenomen që, sipas banorëve të Elbasanit, është bërë i dukshëm vitet e fundit.

Qytetarët kujtojnë se dikur lumi kishte sasi shumë më të mëdha uji dhe gjatë reshjeve të dendura përmbytej shpesh, duke dalë nga shtrati e duke mbuluar tokat përreth. Sot, sipas tyre, situata ka ndryshuar ndjeshëm dhe përmbytjet janë bërë gjithnjë e më të rralla.

“Dikur Shkumbini ishte plot me ujë. Sot shohim një lumë me prurje shumë më të pakta dhe në disa pjesë mezi rrjedh. Ndryshimi është i dukshëm dhe çdo vit situata duket se përkeqësohet”, shprehet një banor.

Banorët ia atribuojnë këtë ndryshimeve klimatike, rritjes së temperaturave, por edhe nxjerrjes së pakontrolluar të inerteve nga shtrati i lumit, duke theksuar se këta faktorë kanë ndikuar në uljen e nivelit të ujit.

“Temperaturat e larta kanë bërë të vetën, por edhe ndërhyrjet që janë bërë ndër vite kanë ndryshuar rrjedhën natyrore të lumit. Sot Shkumbini nuk është më ai që kemi njohur dikur”, thotë një qytetar.

Një tjetër problem që ngrenë është ndotja e lumit nga hedhja e mbetjeve. Sipas tyre, mbeturinat jo vetëm dëmtojnë ekosistemin e Shkumbinit, por ndikojnë edhe në cilësinë e prodhimeve bujqësore të kultivuara në zonat përreth.

“Është mizore ajo që po i bëhet lumit. Mbetjet që hidhen në të ndikojnë drejtpërdrejt edhe te prodhimet bujqësore, pasi shumë fermerë përdorin ujin e Shkumbinit për vaditje. Në fund, pasojat i ndiejnë jo vetëm fermerët, por të gjithë konsumatorët”, shprehet një tjetër banor.

Banorët kërkojnë masa konkrete për mbrojtjen e lumit, duke theksuar se ruajtja e Shkumbinit është e rëndësishme jo vetëm për mjedisin, por edhe për jetën dhe aktivitetin ekonomik të komuniteteve që jetojnë përgjatë tij.

qytetar
Lumi Shkumbin