MBRETËRIA E BASHKUAR- Kryeministri Keir Starmer ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij si kreu i qeverisë britanike si dhe si kreu i Partisë Laburiste. BBC shkruan se vendimi erdhi pas presionit të madh nga ligjvënësit e tij për shkak të humbjes në zgjedhjet lokale.
Starmer bëri të ditur se ka informuar edhe Mbretin për vendimin e tij dhe se ka kërkuar nga Komiteti Ekzekutiv Kombëtar i Partisë Laburiste të përcaktojë një afat për zgjedhjen e liderit të ri. Kjo do të thotë se një udhëheqës i ri do të jetë në detyrë përpara rikthimit të parlamentit në shtator, ndërsa deri atëherë ai do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë si kryeministër.
Starmer u zotua gjithashtu për një tranzicion të rregullt të pushtetit dhe tha se do ta mbështesë plotësisht pasardhësin e tij. Ai shtoi se udhëheqësi i ri do të trashëgojë një Britani më të fortë dhe më të drejtë se dy vite më parë.
“Pyetja që po bën partia ime tani është nëse unë jam në pozicionin më të mirë për të na udhëhequr në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. E kam dëgjuar përgjigjen e partisë sime parlamentare për këtë pyetje dhe e pranoj atë përgjigje me mirësjellje. Çdo vendim që kam marrë ka qenë për të vënë vendin që dua në radhë të parë. Kjo është arsyeja pse do të jap dorëheqjen si udhëheqës i Partisë Laburiste. Kam folur me Mbretin këtë mëngjes për ta informuar për vendimin tim”, tha ai.
Në fund, Starmer falënderoi bashkëpunëtorët e tij, stafin e Downing Street dhe shërbimin civil për punën dhe mbështetjen gjatë gjashtë viteve të fundit. Dorëheqja e Starmer vjen pas tensioneve gjithnjë e në rritje brenda Laburistëve, ku së fundmi ka pasur thirrje të vazhdueshme për ndryshm lidershipi, si dhe përçarje të dukshme në qeveri.




