Dy vajza nga fshati Topanicë i Kamenicës kanë humbur jetën tragjikisht në një aksident të rëndë trafiku që ka ndodhur në Gjermani.
Viktimat janë E. Zubaku, 24 vjeçe, dhe A. Zubaku, 18 vjeçe. Lajmi për vdekjen e tyre është konfirmuar nga familjarët.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, dy automjete të cilat po lëviznin me shpejtësi të lartë janë përplasur me njëra-tjetrën.
Shkaku i aksidentit dyshohet se ka qenë një manovër e pasuksesshme për ndryshimin e korsisë.
Si pasojë e përplasjes fillestare, një person ka mbetur i lënduar rëndë. Ndërkohë, pesë automjete të tjera që po qarkullonin pas tyre nuk kanë arritur të frenojnë me kohë, duke shkaktuar një aksident zinxhir ku u përfshinë gjithsej pesë vetura.
Sipas të dhënave paraprake të policisë gjermane, pasagjerët e katër automjeteve të përfshira në aksident nuk kanë pësuar lëndime. Megjithatë, dy të rejat që udhëtonin së bashku në një automjet kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Autoritetet kompetente po vazhdojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit.




