Ansambli “Sadi Halili” shkëlqen në Festivalin e Çlirimit në Gjilan, vlerësohet folklori dhe trashëgimia e Librazhdit

Qyteti i Gjilanit ka bërë bashkë ansamble dhe grupe folklorike nga vendi dhe bota në një festival madhështor kushtuar Festës së Çlirimit. Midis të ftuarve specialë në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore, Ansambli “Sadi Halili” i Pallatit të Kulturës Librazhd ka dhuruar një performancë të jashtëzakonshme, duke u vlerësuar maksimalisht për interpretimin, larmidinë dhe autenticitetin e kostumeve tradicionale të trevës së tyre.

Në skenën e festivalit, artistët nga Librazhdi pushtuan audiencën përmes një programi të pasur ku spikatën Vallja Dyshe, si një përfaqësim dinjitoz i traditës koreografike që përcjell mjeshtërinë në breza, si dhe Vallja e Hotolishtit, një vlerë e çmuar e folklorit të kësaj zone e sjellë me një ritëm dhe elegancë të rrallë. Pjesë e suksesshmes ishte edhe Okteti i ansamblit, interpretimi vokal i të cilit dëshmoi edhe një herë pasurinë e zërave dhe harmonisë muzikore që karakterizon Librazhdin.

Ky ansambël, i cili ka në përbërjen e tij rreth 50 artistë të grupmoshave të ndryshme, është ringritur rreth tre vite më parë me iniciativën e përgjegjëses Bardha Alimeta, në bashkëpunim të ngushtë me koreografin Vladimir Duro. Falë përkushtimit të tyre dhe të të gjithë pjesëmarrësve, trupa ka arritur sot një nivel të lartë konkurrimi në skenat kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ansambli i Valleve të Pallatit të Kulturës “Sadi Halili” vjen si vazhdimësi e një pune të mrekullueshme dhe e një trashëgimie të madhe pasurore të lënë nga Mjeshtri i Madh, i paharruari Sadi Halili, emrin e të cilit mban me krenari ky institucion në varësi të Bashkisë Librazhd. Ruajtja, kultivimi dhe trashëgimi i traditave të bukura dhe i kulturës në tërësi mbetet qëllimi kryesor i këtij institucioni, i cili vazhdon të jetë një ambasador i denjë i vlerave shpirtërore të zonës.