Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka gjetur disa probleme në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR), pas një auditimi që mbulon vitet 2023–2024 dhe kontratat publike nga 2019 deri në 2024.
Sipas raportit, Ministria ka pasur mangësi në mënyrën si harton dhe zbaton aktet e saj. Në shumë raste nuk është e qartë kush mban përgjegjësi për zbatimin e tyre dhe cilat struktura duhet t’i ndjekin. Kjo, sipas auditit, krijon paqartësi dhe rrezik për mbivendosje vendimesh.
Një nga shqetësimet më të mëdha lidhet me pesticidet. KLSH konstaton se për disa produkte bujqësore, normat e përdorimit janë disa herë më të larta se ato të Bashkimit Europian. Madje, gjatë viteve 2022–2024, në tregun shqiptar kanë qenë në qarkullim 10 produkte për mbrojtjen e bimëve që janë të ndaluara në BE.
Probleme janë gjetur edhe me tokat bujqësore që jepen me qira. Nga 673 parcela në administrim të ministrisë, vetëm 102 prej tyre (rreth 15%) kanë dokumente pronësie të regjistruara në emër të MBZHR. Për më tepër, këto toka nuk janë përfshirë siç duhet në pasqyrat financiare, duke ulur vlerën reale të aseteve të ministrisë.
Auditimi evidenton gjithashtu probleme me kontratat: në disa raste investimet nuk janë realizuar sipas marrëveshjeve, ka pasur ndryshime kontratash dhe mungesë verifikimi të pronësisë përpara dhënies me qira të tokës.
Edhe në prokurimet publike janë gjetur mangësi, sidomos në kriteret dhe specifikimet teknike, të cilat në disa raste nuk janë të justifikuara.
Nga kontrolli i punimeve publike rezulton se ka punë të pakryera, për të cilat është kërkuar dëmshpërblim prej 19,053 mijë lekësh. Ndërkohë, dëmi total nga menaxhimi joefektiv i fondeve arrin në rreth 207 milionë lekë. Këto lidhen me investime që nuk janë vënë në punë, pagesa për vendime gjyqësore, shpenzime për karburant dhe probleme me tokat bujqësore./ekofin.al













