Edi Rama fiton gjyqin për shpifje me “ish-bletën e tij të artë”. Reagon Brisida Shehaj

Një vit pasi socialistët kishin ardhur në pushtet kryeministri Edi Rama do ti dorëzonte çmimin e Bletës së Artë, Brisida Shehaj, atëherë drejtoreshë e tatimeve.

Dy vite më pas Shehaj do të jepte dorëheqjen nga kjo detyrë e u kthye në një kritike të fortë të Edi Ramës në rrjetet sociale dhe studiot televizive pasi iu bashkua ish-Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Në 2022, Shehaj deklaroi se kryeministri është duke e përdorur bordin e transparencës të karburanteve për të futur para në xhepat e tij.

Kjo u konsiderua nga Edi Rama si një trillim dhe ai iu drejtua Gjykatës së Tiranës me një padi për shpifje.

Në padi avokatët e kryeministrit Rama shkruanin se ai është dëmtuar nga deklarimet e bëra nga Shehaj në 10 mars 2022 në një video-postim në profilin e saj në Instagram, pas ngritjes të bordit të transparencës atë kohë.

Duke i cilësuar si shpifëse dhe të pabaza deklarimet e Shehajt, Rama kërkonte të dëmshpërblehej me 1 milion lekë prej saj.

Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu, mëson se disa ditë më parë Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i dha të drejtë Kryeministrit Edi Rama dhe e konsideroi deklarimin e Shehajt si shpifje.

Në vendim i kërkohet ish-bashkëpunëtores së ngushtë të Edi Ramës të publikojë një përgënjeshtrim në rrjetet sociale, por jo detyrim për të paguar dëm monetar siç kërkonte kryeministri në padi.

E kontakuar nga Top Channel nëse do ta zbatojë këtë kërkesë të gjykatës së Tiranës, Brisida Shehaj tha: “Do ta ankimoj vendimin pasi nuk është i formës së prerë”.

Në të shkuarën kryeministri Edi Rama ka fituar edhe katër procese të tjera gjyqësore për shpifje me Sali Berishën.

Sikurse janë gjetur nga gjykata fajtor për shpifje ndaj Ramës edhe Lulzim Basha, Albana Vokshi, Arben Imami dhe Jorida Tabaku