Elbasan, 30 prill 2026 – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka kërkuar angazhim maksimal dhe “zero tolerancë” ndaj veprimtarisë kriminale nga strukturat vendore të policisë.
Gjatë një takimi me drejtuesit e policisë vendore në Elbasan, Hita u ndal te situata e rendit dhe sigurisë publike në qark, duke theksuar nevojën për masa më të forta dhe veprime të koordinuara për përmirësimin e saj.
Ai kërkoi intensifikimin e luftës kundër aktiviteteve të paligjshme në të gjitha format, me fokus kryesor garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe forcimin e prezencës policore në terren.
Gjithashtu, drejtori i Policisë së Shtetit theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit me komunitetin dhe institucionet e tjera ligjzbatuese, si një element kyç për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.
Ky takim në Elbasan vjen pas një sërë takimesh të ngjashme të zhvilluara në qarqe të ndryshme të vendit, përfshirë edhe një takim të mëparshëm në Korçë, në kuadër të koordinimit të punës policore në nivel kombëtar.













