Sateliti “Albania 1”, i prezantuar vite më parë nga qeveria si pjesë e projektit të mbikëqyrjes satelitore për kontrollin e territorit, raportohet se është djegur në atmosferë më 29 janar 2026, duke dalë përfundimisht nga funksioni.
Lajmi është bërë publik nga eksperti i teknologjisë Besmir Semanaj, i cili ka ngritur pikëpyetje mbi ecurinë dhe transparencën e këtij projekti.
Dy satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” u lëshuan në hapësirë më 3 janar 2023 nga Cape Canaveral në Florida, si pjesë e një marrëveshjeje me vlerë rreth 6 milionë dollarë mes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe kompanisë amerikane Satellogic USA Inc.
Projekti u prezantua si një hap modern për monitorimin e territorit shqiptar, me fokus në ndërtimet pa leje, kultivimin e kanabisit, zjarret dhe çështjet e sigurisë mjedisore e kufitare.
Në atë kohë, autoritetet theksuan se teknologjia satelitore do t’i mundësonte institucioneve shqiptare të merrnin të dhëna në kohë reale për administrimin më efikas të territorit dhe për forcimin e politikave publike në fusha të ndryshme.
E së fundmi një postim i bërë në rrjetet sociale nga eksperti i teknologjisë ka rikthyer sërish vëmendjen te dy sateltitët.
Semanajt thotë se një prej satelitëve, konkretisht Albania 1 ka përfunduar ciklin e saj, ndërkohë që sipas tij mungesa e transparencës është problemi kryesor, pasi ende nuk ka një bilanc sa i përket kostove dhe as një raport të detajuar mbi rezultatet konkrete të arritura në terren.
“Deri sot nuk kemi një shifër të qartë se sa ka kushtuar realisht ky projekt. Thuhet 6 milionë dollarë, por në Shqipëri “thuhet” dhe “është” rrallë përputhen. Nuk kemi asnjë raport serioz me rezultate: sa ndërtime janë zbuluar falë këtyre satelitëve, sa parcela kanabisi, sa raste zjarresh janë menaxhuar ndryshe për shkak të tyre.
Dhe mbi të gjitha, nuk kemi një konfirmim zyrtar për diçka që tashmë është fakt: a do ta thotë qeveria hapur që Albania 1 nuk është më në orbitë?”, shkruan ai ndër të tjera.













