Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në aksin Lezhë–Shkodër, në afërsi të fshatit Gocaj, ku një automjet ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar i përmbysur në një kanal.
Sipas burimeve paraprake, si pasojë e aksidentit kanë humbur jetën dy persona, babë e bijë. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites, ndërsa automjeti është konstatuar më vonë nga një patrullë policie gjatë kontrollit të zonës.
Kanë qenë fillimisht familjarët ata që kanë ngritur alarmin, pasi kishin humbur kontaktet me të afërmit e tyre. Pas kërkimeve, policia ka zbuluar automjetin e aksidentuar në kanal, ku janë gjetur edhe dy viktimat pa shenja jete.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe ekipet e urgjencës, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e kësaj ngjarjeje tragjike.













