Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar në Athinë me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Greqi.
Takimi është bërë i ditur nga vetë kreu i qeverisë shqiptare përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ai thekson se mes tij dhe Mitsotakis ekziston një marrëdhënie e veçantë miqësie, e ndërtuar përgjatë bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Sipas Ramës, marrëdhëniet shqiptaro-greke kanë kaluar si momente pozitive ashtu edhe periudha sfiduese, por janë karakterizuar nga komunikim i hapur dhe respekt i ndërsjellë. Ai nënvizon se të dy qeveritë po punojnë për të kapërcyer çështjet e mbartura ndër vite dhe për të arritur një marrëveshje të re për partneritet strategjik brenda këtij viti.
“Po punojmë për kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura mes dy shteteve, për të dalë nga ky vit me një marrëveshje të re partneriteti strategjik,” shprehet Rama në reagimin e tij.
Vizita e kryeministrit shqiptar në Greqi zhvillohet me ftesë të Forumi Ekonomik i Delphit, një platformë ndërkombëtare që mbledh liderë politikë, përfaqësues të biznesit dhe ekspertë për të diskutuar sfidat globale dhe bashkëpunimin rajonal.













