Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur Podgoricën, ku tre persona janë gjetur të pajetë në një apartament me qira në zonën e njohur si “Aeroporti i Vjetër”. Mes viktimave janë identifikuar dy vëllezër shqiptarë, Denis Hoti dhe Nezrin Hoti, ndërsa viktima e tretë nuk është identifikuar ende zyrtarisht.
Sipas autoriteteve, i dyshuari kryesor për këtë krim është Vehid Murić, i cili është shpallur në kërkim. Dyshohet se ai ka kryer vrasjen gjatë natës ndaj tre personave me të cilët punonte në një kantier ndërtimi, pas konflikteve dhe mosmarrëveshjeve personale mes tyre.
Hetimet paraprake bëjnë me dije se krimi mund të jetë kryer me armë të ftohtë. Pas ngjarjes, autori dyshohet se është larguar nga vendi i krimit dhe është kthyer në qytetin e tij të origjinës, Rozhajë. Atje, sipas raportimeve, ai ka ushtruar dhunë edhe ndaj nënës së tij në banesën familjare.
Ka qenë pikërisht familja e të dyshuarit që ka njoftuar policinë për incidentin e dhunës, çka ka çuar më pas në ndërhyrjen e autoriteteve dhe në zbulimin e krimit të trefishtë në Podgoricë. Policia ka bërë të ditur se të gjitha strukturat janë angazhuar në një operacion të gjerë për kapjen e tij, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të raportojnë çdo informacion që mund të ndihmojë në lokalizimin e autorit.
Autoritetet theksojnë se i dyshuari konsiderohet i rrezikshëm, ndërsa hetimet vijojnë intensivisht për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve që çuan në këtë ngjarje të rëndë, e cila ka shkaktuar reagime dhe shqetësim të madh në opinionin publik.













