Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar burgim të përjetshëm për Naim Murseli dhe dy të akuzuarit e tjerë për vrasjen e Liridona Ademaj.
Sipas akuzës, Murseli ka planifikuar vrasjen e bashkëshortes për përfitim financiar dhe arsye personale, duke e paraqitur ngjarjen si grabitje.
Dyshohet se ai ka bashkëpunuar me Granit Plava, i cili akuzohet si autor i vrasjes, dhe me Kushtrim Kokalla, që sipas dosjes ka ndërmjetësuar lidhjen mes tyre.
Prokuroria vlerëson se mënyra e organizimit të krimit, sjellja pas ngjarjes dhe përpjekjet për të devijuar hetimet e rëndojnë pozitën e të akuzuarve. Gjatë procesit janë paraqitur disa versione të ndryshme të ngjarjes nga të pandehurit, që konsiderohen si përpjekje për t’i shpëtuar përgjegjësisë.
Sipas provave, në ditën e ngjarjes Murseli ka qenë në lëvizje me Plavën dhe dyshohet se kanë siguruar armën që u përdor në krim. Janë analizuar edhe pamje filmike që tregojnë lëvizje të koordinuara të automjeteve.
Ngjarja është cilësuar e rëndë edhe për faktin se ndodhi në prani të dy fëmijëve të mitur të çiftit. Një prej tyre ka përshkruar momentin e sulmit në dëshminë e dhënë në prani të specialistëve.
Hetimet kanë nxjerrë edhe detaje mbi një sigurim jetësor në Suedi në emër të viktimës, nga i cili dyshohet se do të përfitohej një shumë e konsiderueshme parash.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023 në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës. Rasti shkaktoi reagim të madh publik dhe vazhdon të ndiqet me vëmendje, ndërsa pritet vendimi i gjykatës.













