“Ajo nuk ishte e tillë”/ 19-vjeçarja shqiptare humbi jetën tragjikisht në Greqi, reagojnë prindërit: E lanë në mes të sheshit…

Një 19-vjeçare me origjinë shqiptare ka humbur jetën në mënyrë tragjike në Kefaloni të Greqisë, pasi u la e droguar dhe pa ndjenja në mes të sheshit nga tre persona që kishin kaluar mbrëmjen me të.

Ngjarja e rëndë ndodhi në Argostoli, ku e reja, të cilës mediat greke i referohen si Myrto, u gjet pa ndjenja në orët e para të mëngjesit dhe u transportua me urgjencë në spital, por nuk mundi të mbijetojë.

Në “Shqipëria Live”, janë publikuar deklaratat e prindërve të saj, të cilët janë të tronditur nga ngjarja. Babai ngre dyshime se e reja mund të jetë mashtruar nga djemtë e përfshirë, teksa nëna shprehet se një nga djemtë e njihte dhe e kishte paralajmëruar të bijën të mos shoqërohej me të por ajo nuk e kishte dëgjuar.

“Vajza ime nuk ishte e tillë, mund ta kenë ndikuar, mund t’i kenë hedhur diçka, ta kenë bërë të varur prej tyre. Fëmijën tim, nga ora 3 deri në 5, e kishin hedhur në trotuar dhe po jepte shpirt, as qenit nuk i bëhet kështu. Nuk ekzistoj më, mbarova. Një fjalë vetëm: nuk ekzistoj. M’u shemb toka nën këmbë, humba qiellin me yjet mbi kokë. Nuk ekzistoj. Do më shihni pas disa ditësh që s’do ekzistoj më. Vajza ime e vogël, ky filiz, ky engjëll. Fëmija im ishte i pastër, nuk kishte lidhje me drogë dhe me pije. Shkollë dhe shtëpi, ndonjëherë dilte për kafe me shoqet. Gjëra normale. Unë besoj se e mashtruan me qëllim, e morën, i hodhën diçka në pije dhe i ndodhi ajo që i ndodhi. Ishte e hedhur në rrugë. Nga sa tregojnë kamerat dhe nga sa dëgjoj, e morën tre persona, njëri e mbante në krahë, të tjerët e hodhën dhe u larguan”- ka thënë ai.

“Unë e njihja atë djalin dhe i kisha thënë vajzës nuk më pëlqen. Ajo më tha: ‘aman mami, çdo gjë të duket gabim’. I thashë ‘nuk dua të të prish qejfin’. Më tha ‘lëre mami, gjithçka e sheh gabim”- tregoi nëna.