Superiorja/ Elbasani ndalet në barazim në shtëpi nga Egnatia

ELBASAN – Elbasani dhe Egnatia kanë barazuar pa gola në ndeshjen hapëse të vlefshme për javën e 29-të të “Abissnet Superiores”.

Kampionët në fuqi të Egnatias ishin në këtë takim pa trajnerin Tetova dhe ndihmësin e tij Brahja, të cilët janë ndëshkuar nga Disiplina.

Sfida e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”, përfundoi me shifrat 0-0. Rastet ishin të shumta nga të dyja krahët, por asnjëri prej ekipeve s’e gjeti rrugën e rrjetës.

Në këtë ndeshje u dhanë dy kartonë të kuq. Si fillim u ndëshkua Boye i Elbasanit, në minutën e 7-të, ndërsa 22 minuta më vonë, u ndëshkua Flamur Ruçi i Egnatias.

Pas këtij barazimi, Elbasani merr vendin e parë me 53 pikë, 1 më shumë se Vllaznia e vendit të dytë, por shkodranët kanë një ndeshje më pak, të cilën do ta luajnë nesër në “Loro Boriçi”, teksa do të përballen me Dinamon.

Në krahun tjetër me 51 pikë, kampionët në fuqi të Egnatias mbeten në vendin e 3-të.