23 vatra në vetëm 12 orë! Ministria e Mbrojtjes: Janë angazhuar 26 mjete zjarrfikëse, ushtarake dhe helikopterë për shuarjen e tyre

Shqipëria është përballur me 23 vatra zjarri gjatë 12 orëve të fundit, ndërsa 8 prej tyre vijojnë të jenë aktive në disa zona të vendit.

Operacionet për shuarjen dhe izolimin e flakëve po zhvillohen në terren me forca zjarrfikëse, ushtarake dhe mjete ajrore.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në menaxhimin e situatës janë angazhuar 26 automjete zjarrfikëse, 310 forca operacionale dhe 103 efektivë të Forcave të Armatosura. Në operacion janë përdorur gjithashtu 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.

‘Përpihet’ nga flakët fshati i Sinicës në Devoll / Zjarr në “Lëndinën e Madhe”, 14 persona në terren për të ndalur përhapjen
Ndërhyrjet vijojnë në Dajt, Priskë të Madhe, Drenie të Patosit, Krujë, malin e Nëmërçkës dhe malin e Dhëmbelit. Aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Një operacion i rëndësishëm po zhvillohet edhe në Gurë-Lurë të Dibrës, ku janë angazhuar zjarrfikës, vullnetarë dhe 2 helikopterë të Forcave të Armatosura.

Mjetet ajrore janë pozicionuar pranë zonave të banuara me qëllim mbrojtjen e komunitetit. Helikopterët dhe avionët “Air Tractor” e kanë ndërprerë operacionin gjatë mbrëmjes.

Ndërkohë, një nga vatrat është neutralizuar. Zjarri në Vilëz të Kurbinit është shuar plotësisht.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat vendore vijojnë koordinimin e operacioneve në terren, me qëllim izolimin e 8 vatrave aktive dhe parandalimin e përhapjes së flakëve në zona të tjera.

Pavarësisht numrit të lartë të vatrave të raportuara, aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat, ndërsa ndërhyrjet do të vijojnë deri në neutralizimin e plotë të vatrave aktive.