Ndaloni dhunën, mbroni jetën dhe të drejtën për protestë paqësore! Deklaratë e përbashkët e 21 organizatave të shoqërisë civile

0
14

DEKLARATË E PËRBASHKËT PËR SHTYP

Ndaloni dhunën, mbroni jetën dhe të drejtën për protestë paqësore!

Ne, organizatat e shoqërisë civile nënshkruese të kësaj deklarate, përballë
përshkallëzimit të tensioneve dhe raportimeve për të lënduar gjatë protestave të ditëve
të fundit në Shqipëri, bëjmë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës dhe
vetëpërmbajtje nga të gjithë. Mbrojtja e jetës, shëndetit dhe dinjitetit të
protestuesve, punonjësve të policisë, gazetarëve dhe kalimtarëve duhet të jetë
përparësia absolute.

Protesta paqësore është një e drejtë themelore, e garantuar nga neni 47 i Kushtetutës,
neni 11 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe neni 21 i Paktit Ndërkombëtar
për të Drejtat Civile dhe Politike. U bëjmë thirrje pjesëmarrësve të protestojnë
paqësisht, pa sulme ndaj personave dhe pa shkatërrim të pronës.

Autoritetet kanë detyrimin të lehtësojnë protestën paqësore, të ulin tensionet dhe të
parandalojnë lëndimet. Çdo përdorim i forcës nga policia duhet të jetë i ligjshëm,
rreptësisht i nevojshëm dhe proporcional, duke përdorur paraprakisht mjetet paqësore.

Aktet e dhunës së individëve të veçantë nuk justifikojnë ndërhyrje pa dallim ndaj
protestuesve paqësorë. Dënojmë çdo përdorim të pajustifikuar apo disproporcional të
forcës nga strukturat policore ndaj protestuesve dhe theksojmë se garantimi i rendit
publik nuk mund të shërbejë si justifikim për cenimin e integritetit fizik, dinjitetit dhe të
drejtave themelore të qytetarëve.

Kërkojmë ndihmë të menjëhershme mjekësore për çdo të lënduar, mbrojtje të posaçme
për të miturit dhe respektimin e të drejtave të çdo personi të ndaluar. Çdo pretendim për
dhunë apo përdorim të paligjshëm të forcës duhet të hetohet shpejt, në mënyrë të
pavarur dhe të paanshme.

U bëjmë thirrje përfaqësuesve të politikës dhe drejtuesve të shtetit të shmangin
retorikën nxitëse dhe të krijojnë hapësirë për dialog. Respektoni të drejtën e protestës
paqësore. Mbroni jetën dhe dinjitetin e çdo personi. Asnje jetë nuk duhet vënë në
rrezik.

Organizatat Nënshkruese

1. Civil Rights Defenders, Shqipëri
2. SCiDEV
3. Rrjeti AWEN
4. Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim
5. Qendra “Faktoje”
6. Albanian Institute of Science AIS
7. Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative në Shqipëri, BIRN Albania
8. Rrjeti Erasmus Tirana
9. Citizens.al
10. Qendra Amfora
11.Qendra për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Zhvillim të Qëndrueshëm
12. Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri – PPNEA
13. Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike – ACER
14. Partners Shqipëri
15. Qendra Për Studime të Krahasuara dhe Ndërkombëtare/QSKN
16. Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
17. Rrjeti i Informimit dhe Qytetarisë Aktive INAC
18. Organizata ‘Together for Life’
19. Asosacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ASHG
20. Rrjeti i Profesionistëve të Rinj
21. Fondacioni ‘Së Bashku’

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu