BallinaAktualitetPërmbledhje/ Përplasje të ashpra në vend. Çfarë ndodhi në ditën e pestë...

Përmbledhje/ Përplasje të ashpra në vend. Çfarë ndodhi në ditën e pestë të protestës?

Studentë, të rinj dhe qytetarë janë bashkuar edhe këtë të shtunë në ditën e 5-të të protestës studentore para Ministrisë së Arsimit në Tiranë dhe jo vetëm.

Ndërkohë situata në kryeqytet vazhdon të mbetet e tensionuar, me përplasje të ashpra përgjatë Rrugës së Durrësit. Protestuesit vijojnë të hedhin gurë në drejtim të policisë e cila më pas është kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës. Ndërkohë, për herë të parë, forcat e RENEA-s kanë zbarkuar në terren, duke rrethuar Kryeministrinë.

Policia ka ndërhyrë me dy autobotë me ujë, me plumba gome në përpjekje për të shpërndarë protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll. Protestuesit shpërndahen për pak çaste por rikthehen sërish duke sulmuar me gurë efektivët e policisë.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama mëngjesin e sotëm ka dalë në terren sërish për të monitoruar situatën dhe dëmet e lëna pas nga protestat studentore në kryeqytet. Rama ka parë nga afër dëmet në një biznes teksa gjatë fjalës së tij theksoi se bizneset e dëmtuara do të ndihmohen. Ai shtoi se bizneset duhet të bëjnë ankim te ‘Dëmi im’ në e-Albania.

Ndër të tjera, Rama shtoi se mbron të drejtat e studentëve dhe shqiptarëve për të protestuar teksa theksoi se personat me maska që thyejnë bizneset po kryejnë krime. Rama tha se ata që shkatërrojnë pronat dhe bizneset do të mbajnë përgjegjësi.

Lidhur me tensionet e regjistruara në ditët e mëparshme të protestave ka reaguar edhe AMP. AMP në reagim theksoi se po monitoron situatën për të evidentuar dhe verifikuar çdo rasti të shkeljeve ligjore nga efektivët e policisë.

Më tej theksohet se AMP ka mbledhur materiale filmike nga mediat dhe pamje të publikuara në rrjetet sociale të cilat do t’i nënshtrohen analizës dhe verifikimit përkatës për sqarimin e plotë të rrethanave të çdo rasti dhe përcaktimin e përgjegjësive.

Lidhur me protestuesit e shoqëruar të premten gjatë incidenteve, policia e Tiranës bëri me dije se janë vënë në pranga 10 persona teksa janë proceduar 22 të tjerë.

Policia bën me dije se protestuesit kanë qëlluar me gurë dhe sende të forta në drejtim të efektivëve dhe godinës së Ministrisë së Arsimit. Në njoftim theksohet se sulmet me gurë kanë dëmtuar fizikisht 8 punonjës të policisë dhe kanë shkaktuar dëme materiale në godinë dhe në sinjalistikën rrugore.

Detaje të reja janë bërë me dije edhe lidhur me protestuesit dhe efektivët e plagosur. Mësohet se në Spitalin Universitar të Traumës 21 persona kanë marrë trajtim mjekësor.

Sipas njoftimit mes të lënduarve janë 8 policë, 10 protestues dhe 3 kalimtarë. Lidhur me të riun i cili u plagos nga policia para Ministrisë së Arsimit, bëhet me dije se 21-vjeçari është nën monitorim dhe se nuk rezulton me rrezik për paralizë ose për ndërhyrje kirurgjikale.

Në spitalin rajonal të Vlorës 3 persona kanë marrë ndihmë mjekësore. Mes tyre edhe një polic. Ndërkohë në qytetin e Lezhës është lënduar një e mitur e cila pas marrjes së ndihmës mjekësore ka dalë nga spitali.

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments