SHKODRA- Një konflikt i hershëm mes dy të rinjve, të cilët dikur kishin qenë miq të afërt ka përfunduar në një tentativë vrasjeje brenda një kalçetoje në Shkodër. Ngjarja është regjistruar mbrëmjen e 11 tetorit, kur Klaus Fermosi, 25 vjeç, ka shkuar në ambientet e fushës sportive me qëllimin për të vrarë Jozefin Ujkën, 26 vjeç
Sipas të dhënave paraprake, 25-vjeçari i ka drejtuar armën e zjarrit Ujkës dhe ka tentuar të qëllojë ndaj tij, por pistoleta nuk është shkrepur. Në këtë mënyrë, tentativa e dyshuar për vrasje nuk është realizuar. Në momentin e ngjarjes, në ambientet e kalçetos ndodheshin edhe persona të tjerë të cilët kanë ndërhyrë për të larguar Fermosin nga vendi i ngjarjes.
Pas incidentit, Policia e Shkodrës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim Klaus Fermosin, i dyshuar për tentativë vrasjeje me armë zjarri. Ndërkohë, forcat e policisë vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e tij. Ndërhyrja e personave të pranishëm dhe mosshkrepja e armës duket se kanë shmangur një përfundim tragjik për 26-vjeçarin, i cili i ka shpëtuar një sulmi që mund t’i kishte marrë jetën.
Konflikti për një vajzë nisi 5 vite më parë
Pas ngjarjes së rëndë në një kalçeto në Shkodër, dyshohet se fshihet një konflikt i hershëm mes Klaus Fermos-it, 25 vjeç, dhe Jozefin Ujkës, 26 vjeç, të cilët dikur kanë qenë shokë të afërt. Sipas të dhënave paraprake, përplasja mes tyre ka nisur rreth pesë vite më parë, për shkak të një vajze. Në atë kohë konflikti u zgjidh pas ndërhyrjes së familjarëve të të dy të rinjve, të cilët arritën të qetësonin situatën.
Megjithatë, marrëdhënia mes tyre duket se nuk është normalizuar plotësisht. Rreth një vit më parë, dyshohet se përplasjet janë rindezur, duke rikthyer konfliktin e vjetër mes dy të rinjve. Kjo hasmëri e hershme dyshohet se ka kulmuar në një episod të rëndë, mbrëmjen e 11 tetorit, kur Fermosi dyshohet se ka hyrë në ambientet e kalçetos dhe i ka drejtuar armën e zjarrit Ujkës, duke tentuar ta qëllojë./
