TIRANË — Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të Çmimeve ka marrë vendimin e radhës lidhur me plafonin e çmimeve të tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit në vend, në mbështetje të kuadrit ligjor për situatën e veçantë në tregun e hidrokarbureve.
Sipas vendimit të datës 9 tetor 2026, çmimi tavan i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 është caktuar jo më shumë se 213 lekë për litër, ndërsa çmimi i tregtimit me shumicë jo më shumë se 201 lekë për litër. Ndërkohë, çmimi i shitjes me pakicë për benzinën tregtohet jo më shumë se 194 lekë për litër, ndërsa me shumicë jo më shumë se 182 lekë për litër.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi ditën e sotme në orën 13:00 dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit. Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave si dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u kanë bërë thirrje të gjithë operatorëve të respektojnë kufijtë e caktuar, duke paralajmëruar pezullim aktiviteti për çdo shkelje të konstatuar në treg.
