VILLMERGEN — Një grabitje e armatosur në një piceri në Villmergen të kantonit Aargau në Zvicër ka përfunduar me përleshje fizike, pasi pronari shqiptar ndërhyri për të shpëtuar vajzën e tij të kërcënuar me thikë.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së dielës, kur një person i maskuar hyri në ambientet e lokalit dhe, me një thikë në dorë, kërkoi paratë nga e reja. Pronari i picerisë, Zelal Selimi, i cili ndodhej jashtë në ato momente, pikëpasi dëgjoi thirrjet e vajzës, hyri menjëherë brenda për të neutralizuar autorin.
Sipas dëshmisë së Selimit për mediat vendase, thika ndodhej vetëm pak centimetra larg vajzës së tij. Ai u përlesh fizikisht me autorin duke i marrë armën e ftohtë nga dora, çka detyroi grabitësin të largohej me shpejtësi.
Selimi e ndoqi autorin jashtë lokalit, ku ky i fundit tentoi të largohej me një skuter elektrik. Arratisja e tij zgjati pak minuta, pasi u ndalua nga një efektiv policie jashtë shërbimit.
Policia Kantonale e Aargaut njoftoi se i arrestuari është një 36-vjeçar me shtetësi serbe, banues në rajon. Gjatë përleshjes, Selimi pësoi dëmtime të lehta në të dyja duart.
Autoritetet zvicerane kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa po verifikohet nëse 36-vjeçari është i përfshirë edhe në një tjetër grabitje të ngjashme me thikë të ndodhur disa ditë më parë në një furrë buke të zonës.
