Protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit vijon prej disa orësh, ndërsa situata është tensionuar me përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë.
Pas riorganizimit në rrugën e Durrësit, studentët u kanë vënë flakën kartonëve dhe disa reklamave të vendosura përgjatë rrugës.
Ministri Demo/ Thirrje për uljen e tensioneve, të gjithë të barabartë para ligjit
Ndërkohë, forcat e Policisë kanë krijuar një kordon përballë protestuesve, ndërsa në zonë ndodhet edhe një autobot me ujë.
Përplasjet vijojnë prej rreth katër orësh, pasi protesta nisi në orën 14:00 me thirrje kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.
Për rreth një orë, tubimi u zhvillua në mënyrë paqësore, me thirrje dhe parulla kundër qeverisë.
Më pas, protestuesit hodhën vezë dhe pllaka trotuari në drejtim të godinës së Ministrisë, duke thyer xhamat e institucionit.
Gjatë protestës, studentët shembën edhe kangjellat e trotuarit dhe arritën të hapnin një prej dyerve metalike të Ministrisë.
Në përgjigje të veprimeve të protestuesve, Policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, në përpjekje për të shpërndarë turmën.
Pavarësisht ndërhyrjes së uniformave blu, studentët vijojnë qëndrimin dhe rezistencën para Ministrisë së Arsimit, ndërsa situata në zonë mbetet e tensionuar.
Protestuesit kanë zhvendosur tubimin drejt Bashkisë së Tiranës.
Protestuesit si fillim kanë hedhur gurë drejt derës së godinës, ku më pas kanë arritur që ta thyejnë derën.
Disa prej protestuesve janë futur brenda në godinë, ndërsa menjëherë më pas ka mbërritur aty edhe policia, dhe ka nisur me arrestimet.
Lëvizja drejt bashkisë vjen pas përshkallëzimit të tubimit dhe ndërhyrjes së policisë ndaj studentëve protestues.


