BallinaSocialeJeta plot vuajtje e Kostandin Qoses: Lashë gërnetën se më vdiq djali,...

Jeta plot vuajtje e Kostandin Qoses: Lashë gërnetën se më vdiq djali, pensioni nuk del, punoj kovaç në Tregan

ELBASAN-Është 78 vjeç, por vijon ende të farkëtojë hekurin pasi pensioni nuk i mjafton.

Pas humbjes së të birit në aksident, zhurma e çekiçit është melodia e vetme që dëgjon në ofiçinën e Kostandin Qoses në Tregan të Elbasanit, ndonëse më herët nuk mungonte në asnjë aheng të fshatit.

“Nga ’70-’96 kam punuar në ahengje, ikja nëpër dasma, festivale. Nuk kam lënë cep pa shkuar në dasma: Berat, Durrës, Lushnje, në zonën e Shpatit. Ishte dasma 3 ditë në atë kohë. Në ’96 m’u vra një djalë në Greqi dhe e hoqa gërnetën. 18 vjeç djalë, ishte talent për çdo gjë. E shtypi treni, e zuri gjumi tek shinat e trenit në Patër.

Shumë e vështirë, derisa mblodha mendjen. Iku, iku! S’të bën zemra asnjë gjë tjetër, vetëm se kur punon, harron. E marrin dashurinë kalamajtë e tjerë, sidomos nipërit dhe mbesat”, tregon 78 vjeçari në emisionin “Një nga ne” teksa shton se më shumë se gjysmë shekulli punon si kovaç.

Kam 55 vite që nuk e kam ndërprerë punën. Të rrallë janë kovaçët. Në Elbasan ka, por këtej në Tregan jo. Kërkon forcë si zanat, por deri më tani e kam pasur forcën. Të mëson eksperienca. Zanatin duhet ta vjedhësh, nuk është me të mësuar”, thotë ai.

Persona të moshës së tretë po mbajnë gjallë zanatet e harruara.

“Pensioni më doli 140 mijë lekë. Po ilaçe, për të ngrënë dhe për të pirë… Vëllai i sëmurë 100 mijë lekë merr, nusja 150 mijë. Zanati më ka mbajtur, po të mos ishte ky nuk do ia dilja. Në punë ndjej kënaqësi, e kam pasur në gjak. Nuk kam kënaqësi të rri me pushime. Për mua nuk është e mundimshme kjo punë, më ngjan e ëmbël, e dashur. Më dhimbset shumë po ta lë. Vetëm po vdiqa, nuk e kap më. Po qeshë gjallë, jo nuk e lë.

Më parë nuk kishe kohë të haje bukë nga punët”, pohon Kostandini ndërsa sot puna është e pakët. Pa vegla nuk shkonte tek toka ai, pa sëpatë, pa kazmë, apo pa lopatë. Tani ka shumë rrallë kërkesa, është fukarallëk shumë fshati.

Kushedi sa fabrika, uzina, kombinate kishte në kohën e Enver Hoxhës. Pa bukë s’të linte, pa zanate dhe pa shkollë s’të linte. Ka qenë më i kujdesshëm ai sesa këta. E kanë çuar popullin këta në mjerim. Fitimi varet sipas njerëzve, nga 20 mijë lekë dita, 15 mijë, 5 mijë ose hiç fare si sot. Bëj edhe punë pa lekë për shoqërinë”, thotë Kostandini.

Historia e Kostandinit është kujtesë e fuqishme që edhe përballë tragjedisë mund të gjejmë mënyra për t’u shëruar dhe për të ecur përpara. ReportTv

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments