Kontrata e shitjes së aksioneve zbulon se kompania që zotëron lejen e zhvillimit për resortin luksoz në bregdetin e Vlorës ndryshoi pronarë përmes një marrëveshjeje offshore mes Holandës dhe Katarit.
Ndërsa rrugët e Tiranës dhe bregdeti i Zvërnecit ziejnë nga protestat e qytetarëve dhe organizatave mjedisore kundër vendosjes së gardheve dhe dhunës së rojeve private, në prapaskenë po luhej një tjetër akt i fshehtë. Ndërkohë që njerëzit në shesh kërkojnë transparencë për tjetërsimin e pronave dhe mbrojtjen e ekosistemit Vjosë-Nartë, dokumentet zyrtare tregojnë se fatet e projektit miliardash po vuloseshin me shpejtësi në zyra offshore.
Më 7 maj 2026, fiks 26 ditë përpara se Prokuroria e Posaçme (SPAK) të sekuestronte llogaritë prej 200 milionë dollarësh të lidhura me mega-projektin turistik, pronësia e resortit ndryshoi duar përmes një kontrate offshore.
Sipas open data Gazetarët e “shteg.org” kanë siguruar ekskluzivisht kontratën e shitjes së kuotave, një dokument që zbulon lëvizjen e fundit të “kukullave ruse” të korporatave, përpara se stuhia e drejtësisë të godiste projektin e lidhur me Jared Kushner dhe investitorët nga Katari.

Dokumenti zyrtar mban datën 7 Maj 2026 dhe vulos kalimin e 100% të aksioneve të kompanisë shqiptare “Zvërnec South Adriatic Development Shpk”. Shitësi është “Universal Properties Projects BV”, kompania guaskë holandeze e menaxhuar nga dyshja e drejtorëve në hije, rusi Nikita Vinogradov dhe bullgarja Zoya Gyurova.
Në anën tjetër të tryezës, blerësi që merr zyrtarisht frerët e projektit është “Sazan Development Holding LLC”, një shoqëri e regjistruar në Qendrën Financiare të Katarit (Doha). Kontrata mban emrin e përfaqësuesit të blerësit, Mehmet Fatih Even. Kjo lëvizje vërteton kalimin e kontrollit nga strukturat fshehëse evropiane drejtpërdrejt te investitorët nga Lindja e Mesme, vëllezërit Al-Khayyat.
Ndërkohë që në publik flitet për investime prej 4 miliardë eurosh, matematika e transaksionit në letër është thellësisht e ndryshme.
Sipas Nenit 2 të kontratës, çmimi total i shitjes së kompanisë që mban lejen e zhvillimit për resortin luksoz është vetëm 306,000 EUR.
Në dokument, shitësi holandez pranon zyrtarisht se kapitali themeltar prej 5 milionë Lekësh, i deklaruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Tiranë që nga krijimi, nuk i ishte paguar asnjëherë shoqërisë.
Për ta bërë kompaninë “të pastër” dhe të pranueshme për blerësit nga Katari, kontrata e detyron shitësin holandez që, nga shuma e shitjes prej 306,000 EUR, të përdorë plot 207,757 EUR për t’i injektuar në llogarinë bankare të kompanisë shqiptare. Ky injektim bëhet specifikisht për të siguruar që “Shoqëria dhe Kuota të jenë të lira dhe të pastra nga çdo borxh, detyrim apo barrë e çdo lloji”.
Po ashtu, shitësi holandez (Universal Properties Projects BV) merr përsipër “të dëmshpërblejë plotësisht dhe ta mbajë të padëmtuar Blerësin nga dhe kundër të gjitha Detyrimeve … të cilat rrjedhin direkt ose indirekt nga çdo çështje … para lidhjes të kësaj Kontrate”.
Detyrimet përfshijnë gjithçka: detyrime tatimore, gjoba, detyrime mjedisore për përmirësimin e ndotjes, dhe sidomos “çdo detyrim që rrjedh nga çdo mosmarrëveshje, gjyq, arbitrazh, hetim ose procedurë rregullatore (qoftë aktuale, në pritje ose të mundshme)”.
Kjo klauzolë hermetike tregon se blerësit nga Katari kërkuan garanci absolute që çdo “mëkat” i bërë gjatë fazës së dyshimtë të tjetërsimit të tokave në vitin 2024, t’i mbetet strukturës holandeze.
Sazan Development Holding LLC, që mori në dorëzim fatet e Zvërnecit fiks 26 ditë përpara se SPAK të ndërhynte është e regjistruar në Katar, ku janë të përfshirërit Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat. Sipërmarrësit katarianë, të njohur për fuqinë e tyre në industrinë e ndërtimit dhe zhvillimit luksoz, konsiderohen si hallka kyçe dhe financuesit kryesorë që do të bëjnë të mundur realizimin e investimit prej miliarda eurosh në terren.
Megjithatë, ashtu si në kukullat ruse “Matrioshka”, ku një kompani fsheh një tjetër, pjesa më e rëndësishme e enigmës mbetet lidhja me Uashingtonin. Projekti i Zvërnecit dhe Ishullit të Sazanit është lidhur publikisht dhe ngushtësisht me firmën e investimeve Affinity Partners, e cila drejtohet nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.
Drejtoresha e Open Data Albania, Aranita Brahaj, thotë se për kompanitë që kërkojnë kontrata, licenca, investime apo projekte zhvillimore në Shqipëri, veçanërisht në sektorë strategjikë, duhet të ketë transparencë të plotë mbi pronësinë e tyre. Sipas saj, nuk mjafton identifikimi i aksionarëve që zotërojnë mbi 25% të kompanisë, por duhet të bëhen publikë të gjithë pronarët, edhe ata me pjesëmarrje minimale.
Ajo argumenton se kjo është e domosdoshme për të shmangur konfliktet e interesit, për të zbuluar nëse pas kompanive qëndrojnë zyrtarë apo vendimmarrës publikë që mund të përfitojnë nga vendimet e tyre, si dhe për të garantuar që aktivitetet ekonomike nuk kontrollohen nga grupe me burime të dyshimta financiare.
“Do ishte me vend që publiku shqiptar të kuptonte kush janë bizneset dhe kompanitë, flitet për një leje zhvillimore është deklaruar nëpër studio kompania, por nuk dimë a është vërtet ajo kompani çfarë marrëdhënie ka me pronën apo terrenin që ka aty, kush qëndron prapa kësaj kompanie kush është ai që negocion ose kërkon këtë leje zhvillomore në zonën në fjalë dhe si hyn ajo në marrëdhënie tregtare me të tjerë subjekte që mund të jenë investitorë apo të tjerë pronarë që mund të jenë më të fragmentuar por prap vijnë dhe bëhën pjesë e kompanive” – thotë Brahaj.
Brahaj shton se publiku duhet të dijë qartë se cilat kompani po kërkojnë leje zhvillimore, kush janë pronarët e tyre realë, çfarë lidhjeje kanë me pronën ose territorin ku do të zhvillohet projekti, kush negocion në emër të tyre dhe si lidhen me investitorë apo partnerë të tjerë.
Sipas saj, një transparencë e tillë do të rriste llogaridhënien dhe besimin e publikut në proceset e zhvillimit dhe investimeve, por nga ana tjetër më 7 maj, përmes nënshkrimit të Mehmet Fatih Even për Katarin dhe përfaqësuesve të kompanisë guaskë holandeze , pronësia ndryshoi zyrtarisht me një çmim formal prej 306,000 eurosh një shifër qesharake për një projekt që premton të ndryshojë faqen e bregdetit shqiptar. Ky transaksion i fundit tregon se, pavarësisht gardheve të vendosura, protestave të qytetarëve që kërkojnë mbrojtjen e peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë dhe hetimeve të filluara nga drejtësia, makineria e korporatave ndërkombëtare kishte marrë masat për të siguruar interesat e Kushnerit dhe partnerëve të tij nga Katari. Burimi: shteg.org




