Zjarri pranë Inceneratorit të Elbasanit përkeqësohet, rritet rreziku për përfshirjen e fushës së mbetjeve

Elbasan – Situata e krijuar nga zjarri i rënë në afërsi të rrjedhës së lumit Shkumbin, pranë fushës së grumbullimit të mbetjeve dhe Inceneratorit të Elbasanit, është përkeqësuar ndjeshëm gjatë orëve të fundit, duke shtuar shqetësimet për përhapjen e mëtejshme të flakëve.

Sipas informacionit nga terreni, pavarësisht ndërhyrjes së pandërprerë të forcave zjarrfikëse, zjarri mbetet ende aktiv dhe fronti i flakëve është afruar në mënyrë të konsiderueshme pranë zonës së depozitimit të mbetjeve. Autoritetet vlerësojnë se rreziku për përfshirjen e fushës së mbetjeve nga zjarri mbetet i lartë, ndërsa ekipet operacionale po punojnë intensivisht për izolimin e vatrave dhe frenimin e avancimit të flakëve.

Në mbështetje të operacionit janë vënë në funksion të plotë sistemet hidrante të Landfillit të Elbasanit, të cilat po përdoren për furnizimin me ujë dhe përforcimin e përpjekjeve për shuarjen e zjarrit. Megjithatë, temperaturat e larta dhe kushtet atmosferike në zonë po e bëjnë më të vështirë ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.

Strukturat përgjegjëse po monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme zhvillimin e situatës, ndërsa prioritet kryesor mbetet mbrojtja e fushës së mbetjeve dhe shmangia e një emergjence me pasoja të rënda mjedisore.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet pranë zonës së prekur nga zjarri dhe të respektojnë udhëzimet e dhëna nga institucionet përkatëse deri në normalizimin e plotë të situatës.

Operacioni për neutralizimin e flakëve vijon, ndërsa gjendja mbetet e tensionuar dhe nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga ekipet e emergjencës.