Zjarret masive në Himarë/ Policia shoqëron tre persona, dy lihen të lirë ndërsa vijon marrja në pyetje e të dyshuarit të tretë

Autoritetet policore të Himarës kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme në kuadër të hetimeve për zjarret masive që përfshinë zonën mbrëmjen e djeshme, duke shoqëruar në ambientet e komisariatit tre persona.

Pas marrjes në pyetje dhe verifikimit të alibive, dy prej tyre janë lënë të lirë, ndërsa personi i tretë vijon të mbahet në komisariat, ku po merret në pyetje nga grupi hetimor për të zbardhur çdo detaj të mundshëm rreth ngjarjes.

Për momentin, policia bën me dije se nuk ka ende një autor të konfirmuar apo të dyshuar kryesor për vënien e flakëve. Grupi hetimor po vijon punën intensive për të përcaktuar nëse zjarri ka qenë pasojë e ndonjë pakujdesie apo i vënë qëllimisht, si dhe për të verifikuar nëse personat e shoqëruar kanë ndonjë përgjegjësi direkte në këtë ngjarje që shkaktoi dëme të mëdha materiale në rajon.