Një zjarr ka përfshirë pasditen e sotme një sipërfaqe me pemë dhe bimësi të thatë në lagjen “Skënderbej” të Elbasanit, duke krijuar rrezik për banesat që ndodheshin pranë zonës së përfshirë nga flakët.
Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë menjëherë në terren dhe kanë arritur të izolojnë zjarrin, duke shmangur përhapjen e tij drejt zonave të banuara. Ndërhyrja është kryer në kushte të vështira për shkak të temperaturave të larta, thatësirës dhe erës, faktorë që favorizojnë përhapjen e shpejtë të zjarreve.
Pavarësisht vënies nën kontroll të situatës, ekipet zjarrfikëse kanë vijuar monitorimin e zonës për të shmangur riaktivizimin e vatrave të zjarrit.
Autoritetet u kanë bërë apel qytetarëve për kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe me rrezik të lartë zjarresh, duke kërkuar shmangien e veprimeve të pakujdesshme që mund të shkaktojnë pasoja për banesat, pronat dhe sigurinë e komunitetit.




