Një zjarr ka përfshirë mbrëmjen e sotme një apartament në katin e 9-të të një pallati në zonën e Shkëmbit të Kavajës, në Durrës.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 20:30, ndërsa pas marrjes së njoftimit në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe forcat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.
Ndërhyrja e zjarrfikësve ka bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe vënien nën kontroll të situatës, duke shmangur përhapjen e zjarrit në pjesët e tjera të pallatit.
Si pasojë e tymit të krijuar nga zjarri, gjashtë persona janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore, pasi kanë shfaqur vështirësi në frymëmarrje. Sipas të dhënave paraprake, gjendja e tyre shëndetësore paraqitet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar shkakun e rënies së zjarrit në apartamentin në pronësi të shtetasit E. Sh.





