Zjarr masiv në një fermë blegtorale, mbi 10 krerë bagëti digjen, dëmet arrijnë në rreth 7 milionë lekë

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë këtë të martë një fermë blegtorale në Patos, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe humbje të mëdha në bagëti.

Sipas informacioneve paraprake, flakët janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe prania e sasive të mëdha të ushqimit për bagëtitë. Menjëherë pas shpërthimit të zjarrit, fermerët dhe banorët e zonës u angazhuan për të shpëtuar kafshët, ndërsa në vendngjarje mbërritën forcat zjarrfikëse të Patosit.

Për shkak të intensitetit të flakëve dhe rrezikut të përhapjes së tyre, në operacion u përfshinë edhe efektivët e shërbimit zjarrfikës të Fierit. Pas disa orësh ndërhyrje, ekipet arritën ta vinin zjarrin nën kontroll.

Si pasojë e flakëve janë djegur mbi 10 krerë bagëti, ndërsa janë shkrumbuar sasi të mëdha ushqimi për kafshët, makineri bujqësore dhe stalla e fermës. Dëmet materiale vlerësohen paraprakisht në rreth 7 milionë lekë.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të zjarrit.