Vrasja e 24 vjeçarit në Shkodër dhe plagosja e të atit, dalin emrat. Në pranga autori

SHKODËR- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në lagjen “Kongresi i Përmetit”, Shkodër, ku një konflikt për motive të dobëta ka përfunduar me një viktimë dhe dy persona të plagosur.

Sipas Policisë, ngjarja është regjistruar rreth orës 05:30. 25-vjeçari Andri Vulaj dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj 63-vjeçarit Qamil Luli dhe djalit të tij, 24-vjeçarit Ylber Luli.

Si pasojë e plagëve të marra, 24-vjeçari Ylber Luli ka ndërruar jetë në spital.

Gjatë konfliktit, babë e bir dyshohet se kanë plagosur me thikë edhe 25-vjeçarin Andri Vulaj. Ky i fundit është kapur dhe shoqëruar nga shërbimet e Policisë, ndërsa është sekuestruar edhe një pistoletë që dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes.

Në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije se po vijojnë hetimet për të përcaktuar dinamikën e plotë të konfliktit, përgjegjësitë e secilit prej personave të përfshirë dhe për të dokumentuar ligjërisht ngjarjen.

Njoftimi i Policisë:

“Rreth orës 05:30, në lagjen ‘Kongresi i Përmetit’, Shkodër, dyshohet se, si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. V. ka plagosur me armë zjarri shtetasit Q. L., 63 vjeç, dhe Y. L., 24 vjeç (babë e bir), ndërsa këta të fundit dyshohet se kanë plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasin A. V., 25 vjeç.

Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi Y. L., 24 vjeç, ka ndërruar jetë në spital.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e shtetasit A. V., si dhe gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit, pistoletë, që dyshohet se është përdorur në ngjarje.

Grupi hetimor vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e përgjegjësive dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj.”