Vajza studente mjekësie, babai mjek/ Detaje nga aksidenti tragjik ku humbën jetën atë e bijë

Një aksident i rëndë rrugor me pasoja fatale ka ndodhur mbrëmjen e 25 prillit në zonën e Lezhës, ku kanë humbur jetën Anton Keçi, 54 vjeç, mjek, dhe vajza e tij, Bora Keçi, 20 vjeçe, studente e mjekësisë.

Sipas burimeve zyrtare, rreth orës 21:45, në Komisariatin e Policisë Lezhë është paraqitur djali i familjes, i cili ka kallëzuar se kishte humbur kontaktet me babanë dhe motrën e tij, të cilët ishin nisur me automjet në drejtim të punës.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë nisur kërkimet për gjetjen e tyre. Automjeti është lokalizuar në fshatin Gocaj, pranë fabrikës së çimentos, në një rrugë dytësore, ku kishte përfunduar në një kanal me ujë.

Pas nxjerrjes së mjetit, brenda tij janë gjetur pa shenja jete Anton Keçi dhe Bora Keçi, babë e bijë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se automjeti ka dalë nga rruga si pasojë e humbjes së kontrollit nga drejtuesja, 20-vjeçarja.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.