Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e sotme komunitetin e gazetarëve në Shqipëri. Gazetari Enrik Mehmeti ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të ndodhur në plazhin e Porto Noves, në Zvërnec.
Sipas informacioneve paraprake, Mehmeti po lëvizte me një motor me katër rrota (ATV), kur dyshohet se, për shkak të një manovre të gabuar, humbi kontrollin e mjetit. Si pasojë, motori u rrokullis disa herë dhe gjatë aksidentit një pjesë metalike e mjetit e goditi rëndë në kraharor, duke i shkaktuar dëmtime fatale.
Enrik Mehmeti ishte një gazetar i njohur në median shqiptare, i angazhuar prej vitesh në raportimin e aktualitetit dhe kronikës. Me profesionalizmin, përkushtimin dhe korrektësinë e tij, ai kishte fituar respektin e kolegëve dhe të publikut, duke lënë gjurmë në gazetarinë shqiptare.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka sjellë trishtim të madh te familjarët, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që e njohën dhe bashkëpunuan me të.
Saranda Web shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Mehmeti, të afërmve dhe kolegëve të tij. U prehtë në paqe. 🕊️




