Tragjedia në Elbasan/ Nënkryetari i bashkisë: Brenda atij pallati kisha vajzat dhe nënën, mirënjohje për zjarrfikësit

0
14

Nënkryetari i Bashkisë së Elbasanit, Renato Haxhiaj, ka reaguar publikisht pas tragjedisë së shkaktuar nga shpërthimi dhe zjarri masiv në një pallat pranë unazës jugore të qytetit. Si banor i ndërtesës së përfshirë nga flakët, Haxhiaj ka rrëfyer momentet e rënda të ankthit të përjetuara gjatë operacionit, teksa brenda banesës ndodheshin dy vajzat dhe nëna e tij, duke e cilësuar praninë e menjëhershme të ekipeve të shpëtimit si vendimtare për jetën e familjarëve të tij.

Përmes reagimit të tij, numri dy i bashkisë ka dalë në mbrojtje të forcave zjarrfikëse të Elbasanit, duke kundërshtuar hapur kritikat e ngritura në rrjetet sociale mbi bazën e disa pamjeve të shkëputura nga ndërhyrja. Ai theksoi se një operacion i kësaj përmase nuk mund të gjykohet nga video të shkurtra që nuk tregojnë të gjithë kompleksitetin e situatës, kushtet e vështira të punës mes tymit e flakëve dhe përpjekjet e vazhdueshme të ekipeve në terren.

Haxhiaj shprehu mirënjohjen e tij të thellë për të gjithë efektivët e angazhuar, duke nëvizuar se punonjësit e shërbimit zjarrfikës vepruan me guxim, profesionalizëm dhe mjete të plota për shuarjen e zjarrit nga disa drejtime. Ai bëri thirrje për respekt ndaj sakrificës së tyre njerëzore, duke rikujtuar se pas uniformave që përballen me rrezikun qëndrojnë profesionistë që ndihmuan në shpëtimin e jetëve të shumë banorëve.

Postimi i Haxhiajt

Pas asaj që përjetuam dje ndiej detyrimin të them edhe diçka tjetër.

Po shkruaj si banor i pallatit ku ndodhi tragjedia, por mbi të gjitha si një njeri që pa nga afër përpjekjet e zjarrfikësve për të shpëtuar jetë njerëzish.

Kur brenda atij pallati ndodhen dy vajzat e tua dhe nëna jote, çdo sekondë ka një peshë që nuk mund ta kuptojë plotësisht askush që nuk e ka përjetuar. Në ato momente, ne prisnim ndihmë. Dhe ata ishin aty. Në mes të rrezikut, tymit dhe flakëve, duke bërë gjithçka për të nxjerrë njerëzit të gjallë.

Prandaj më vjen keq kur shoh pamje të shkëputura prej disa sekondash që përdoren për të vënë në dyshim punën dhe profesionalizmin e tyre. Një operacion i kësaj përmase nuk mund të gjykohet nga një fragment videoje, i cili nuk tregon as gjithë ndërhyrjen, as kushtet në të cilat ajo u zhvillua dhe as punën e kryer nga ekipet në terren.

Si dëshmitar i asaj që ndodhi, mund të them se zjarrfikësit u angazhuan me profesionalizëm, përkushtim dhe guxim. Ata kishin në dispozicion mjetet dhe pajisjet e nevojshme për ndërhyrjen dhe punuan nga disa drejtime për shuarjen e zjarrit dhe shpëtimin e banorëve.
Pas atyre uniformave ka njerëz, familje që i presin në shtëpi dhe profesionistë që, në ato momente, nuk menduan për rrezikun që po përballonin, por për jetët që duhej të shpëtonin.

Unë nuk po flas nga larg. Po flas si një baba që sot i përqafoi vajzat e tij, si një bir që e ka sërish pranë nënën e tij dhe si një banor që e di çfarë do të thotë të presësh shpëtimin kur jeta e familjes tënde është në rrezik.
Zjarrfikësve të Elbasanit dhe çdo punonjësi që ishte në shërbim atë ditë u shpreh respektin dhe mirënjohjen time të sinqertë. Ju falënderoj për guximin, sakrificën dhe humanizmin tuaj.

Disa sekonda videoje nuk mund të tregojnë një operacion të tërë. Dhe nuk mund të fshijnë atë që këta njerëz bënë për të shpëtuar jetë.
Faleminderit Zotit për familjen time dhe për çdo jetë të shpëtuar.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu