Në Elbasan janë vendosur stacionet SMART të autobusëve, si pjesë e një projekti për modernizimin e transportit urban dhe përmirësimin e shërbimit për qytetarët. Këto struktura synojnë të sjellin një standard të ri në infrastrukturën publike, duke përfshirë elementë si karikimi i telefonave dhe përdorimi i energjisë përmes paneleve diellore.
Megjithatë, përtej konceptit modern, në përdorim të përditshëm kanë nisur të shfaqen problematika konkrete. Qytetarët shprehen se një pjesë e funksioneve nuk janë plotësisht operative ose nuk i përgjigjen nevojave reale.
Të rinjtë, edhe pse shpesh nuk preferojnë të flasin para kamerës, tregojnë se stacionet përdoren kryesisht për karikimin e telefonave, ndërsa shërbimi i internetit falas mungon ose nuk funksionon në mënyrë të qëndrueshme.
Ndërkohë, për të moshuarit shqetësimi lidhet me mënyrën si janë ideuar stacionet e reja. Ata theksojnë se shumë prej tyre nuk ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme nga kushtet atmosferike, sidomos gjatë reshjeve, ndërsa mungon edhe mbështetja për një ulje më të rehatshme gjatë pritjes.
“Stol pa mbështetëse, të këputet beli. Një strehë duhet, se na kap shiu, dielli” – thotë një qytetare.

“Bie shi, bëhesh ujë. Stacioni i autobusit duhet të jetë i përshtatshëm për të qëndruar, s’ke ku mbështetesh. Autobusat nuk vijnë në orar, asgjë nuk funksionon këtu”- shprehet një qytetar.

Këto reagime ngrenë pikëpyetje mbi mënyrën e zbatimit të projektit dhe përshtatjen e tij me nevojat reale të përdoruesve. Ndërsa investimi synon modernizimin e transportit urban, për qytetarët mbetet e rëndësishme që funksionaliteti dhe komoditeti të jenë në të njëjtin nivel me teknologjinë e premtuar.













