Në kuadër të Ditës së Europës, Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali ka përcjellë një mesazh me theks politik dhe institucional mbi rrugën europiane të Shqipërisë.
Në deklaratën e saj, Spiropali u shpreh se Europa për Shqipërinë nuk është thjesht një destinacion politik, por një mënyrë jetese dhe një model shoqëror ku pushteti kufizohet nga ligji dhe dinjiteti i njeriut qëndron në qendër.
“Europa për ne është pjesë e një bote ku pushteti kufizohet nga ligji, ku dinjiteti i njeriut vlen më shumë se forca dhe ku shteti nuk është pronë e askujt”, theksoi ajo.
Duke e cilësuar rrugën drejt Bashkimit Europian si një proces të gjatë dhe shpesh të vështirë, Spiropali nënvizoi se integrimi nuk është vetëm çështje negociatash, por një proces më i gjerë qytetërimi dhe reformimi institucional.
Ajo shtoi se, pavarësisht vështirësive dhe zhgënjimeve, rruga europiane mbetet “më e rëndësishmja dhe e vetmja” për Shqipërinë, ndërsa Europa u përshkrua si një projekt që ndërtohet vazhdimisht mbi përpjekje për liri dhe përmirësim të shoqërive.
Mesazhi i saj përmbyllet me urimin për Ditën e Europës, duke e cilësuar këtë proces si një “betejë me vetveten” që, sipas saj, Shqipëria do ta fitojë në të ardhmen.













