Qeveria ka miratuar këtë të premte një akt normativ që parashikon kompensimin e qytetarëve dhe bizneseve për dëmet materiale të shkaktuara nga aktet e dhunës gjatë protestave.
Sipas vendimit, shteti do të marrë përsipër dëmshpërblimin e pronarëve të prekur, ndërsa më pas do të nisë procedurat për rikuperimin e shumave nga personat përgjegjës për dëmtimet.
Në këtë mënyrë, barra financiare e dëmeve nuk do të mbetet përfundimisht mbi buxhetin e shtetit, por do t’u kalojë atyre që kanë shkaktuar dhunën.
Akti normativ “Për kompensimin dhe rikuperimin e dëmeve të shkaktuara ndaj pronës nga aktet e dhunës gjatë tubimeve” ka dy qëllime kryesore: garantimin e kompensimit efektiv të dëmeve dhe sigurinë, që shumat e paguara nga shteti të rikuperohen nga personat përgjegjës.
Sipas skemës së parashikuar, kompensimi mund të përfitohet edhe në rastet kur autorët e dëmtimit nuk janë identifikuar.
Një rol në këtë proces do të ketë Avokatura e Shtetit, e cila do të ndjekë procedurat për rikuperimin e parave, duke u kërkuar fillimisht përgjegjësve kthimin vullnetar të shumës. Në rast se kjo kërkesë nuk përmbushet, shteti mund t’i drejtohet gjykatës për të siguruar shlyerjen e detyrimit. Përgjegjësia mund të shtrihet edhe te organizatorët dhe drejtuesit e tubimeve, të cilët mund të mbajnë përgjegjësi për dëmet e shkaktuara gjatë aktiviteteve.
Ata mund të përjashtohen nga ky detyrim nëse provojnë se dhuna nuk është nxitur prej tyre dhe se nuk kanë pasur mundësi ta parandalojnë.
Akti parashikon gjithashtu që detyrimet financiare të mund të shlyhen përmes punës në interes publik, por vetëm nëse personi përgjegjës jep pëlqimin e tij të lirë.
Qeveria thekson se kjo skemë nuk synon të kufizojë protestat paqësore, por të garantojë përgjegjësinë për veprimet e dhunës dhe dëmtimit të pronës.



