Shpërthimi në apartamentin në Elbasan, vijojnë kërkimet për 69-vjeçarin e zhdukur

0
9

ELBASAN- Kërkimet për gjetjen e 69-vjeçarit, i cili rezulton ende i zhdukur pas shpërthimit të fuqishëm që ndodhi pasditen e kësaj të mërkure në një pallat në lagjen “Qemal Stafa”, në Elbasan po vijojnë. Shpërthimi shkaktoi dëme të shumta materiale. Përveç banesës ku ra zjarri, janë dëmtuar edhe apartamentet e tjera të pallatit, ku raportohet se janë shembur edhe mure.

Nga kjo ngjarje e rëndë humbi jetën një 82-vjeçare, ndërsa 10 persona të tjerë mbetën të lënduar dhe morën ndihmë mjekësore. Banorët e pallatit kanë pësuar dëme të mëdha materiale. Një prej tyre, banesa e së cilës u përfshi nga zjarri, tregon se ka humbur gjithçka nga flakët.

“Pafund, i kam pasur të gjitha brenda dhe u dogjën e u bënë shkrumb”, është shprehur ajo.

Dyshimet paraprake janë se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga një bombol gazi. Megjithatë, shkaku i saktë nuk është konfirmuar ende. Në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije se ngjarja është regjistruar rreth orës 14:45, në banesën e shtetasit H. I., në katin e tretë të pallatit. Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të shpërthimit.

“Elbasan/Informacion paraprak. Rreth orës 14:45, në rrethana ende të paqarta, ka rënë zjarr në banesën e shtetasit H. I., në katin e tretë të një pallati në lagjen “Qemal Stafa”. Si pasojë, ka humbur jetën, banorja në të njëjtin pallat, shtetasja H. B., 82 vjeçe, si dhe janë dëmtuar 10 banorë të tjerë, të cilët janë në kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po kryen veprimet për sqarimin dhe dokumentimin e rrethanave të rastit,” tha policia.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu