Shpërthim në një karburant në Tiranë, detajet e para…

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mëngjesin e sotëm në një pikë karburanti në zonën e Brrylit, në Tiranë.

Nga ngjarja kanë mbetur të lënduar disa prej punonjësve të biznesit, të cilët po marrin ndihmën e parë pas mbërritjes së autoambulancës.

Shpërthimi ka shkaktuar dëme të mëdha në strukturën e karburantit, ndërsa është dëmtuar edhe godina njëkatëshe ku qëndronin punonjësit.

Njëri prej tyre ka mbetur i bllokuar brenda godinës për disa minuta. Banorët e zonës kanë ndërhyrë për ta nxjerrë, ndërsa flakët kanë përfshirë biznesin.

Në vendngjarje kanë mbërritur policia, ambulanca dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për të larguar rrezikun dhe për të vënë situatën nën kontroll.

Për shkak të ngjarjes, qarkullimi në zonë është bllokuar.

Shpërthimi ka shkaktuar alarm edhe te banorët përreth, të cilët kanë dalë nga banesat e tyre.