LEZHË – Një shpërthim i bombolës së gazit ka shkaktuar një ngjarje të rëndë mbrëmjen e sotme në një banesë në Markatomaj të Lezhës, ku gjashtë persona, pjesëtarë të së njëjtës familje, kanë mbetur të lënduar.
Të dëmtuarit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Lezhës për të marrë ndihmën mjekësore. Tre prej tyre janë dërguar me autoambulanca, ndërsa tre të tjerët janë transportuar me automjete private, me ndihmën e fqinjëve dhe familjarëve.
Sipas informacioneve paraprake, gjendja e tre të lënduarve paraqitet e rëndë, pasi kanë pësuar djegie në pjesë të ndryshme të trupit.
Për shkak të gjendjes shëndetësore, njëri prej të plagosurve është transportuar drejt Tiranës për trajtim më të specializuar.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e emergjencës dhe policia, ndërsa vijojnë verifikimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e shpërthimit.
Lezhë/Informacion paraprak
Rreth orës 20:30, në një banesë në pronësi të shtetasit S. K., 40 vjeç, në fshatin Markatomaj, Lezhë, dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi.
Si pasojë e shpërthimit, kanë marrë dëmtime dy fëmijë të mitur, 10 dhe 13 vjeç, pronari i banesës, shtetasi S. K., 40 vjeç, si dhe shtetaset L. U., 64 vjeçe, L. B., 70 vjeçe dhe V. Gj., 58 vjeçe.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë ndihmuar në transportimin e të dëmtuarve në Spitalin Rajonal të Lezhës.
Shtetasi S. K. është transportuar në Spitalin e Traumës, Tiranë, për trajtim më të specializuar, ndërsa personat e tjerë të dëmtuar ndodhen në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku po marrin mjekim dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për dokumentimin e plotë të rastit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.






