Shorti i Champions League që u hodh këtë të enjte në Monako premtoi spektakël me shumë supersfida që do të luhen në fazën e ligës.
Nuk munguan betejat apo ato që quhen finalet e parakohshme. Kampionët në fuqi të Paris Saint-Germain do të kenë mes kundërshtarëve Manchester Cityn, Barcelonën apo Romën.
Short i vështirë për Cityn, që do të përballet edhe me Barcelonën. Një sfidë që sjell në skenë shumë shpejt takimin e veçantë me Rodrin, tashmë te katalanasit.
Arsenali, finalist i sezonit të kaluar, do të sfidojë Real Madridin në një tjetër përballje të nivelit të lartë, ndërsa do të udhëtojë edhe në Mynih përballë Bayern Munchen.
Edhe Reali ka një rrugëtim të fortë, me Arsenalin dhe Interin mes kundërshtarëve të tij, ndërsa Barcelona do të ketë përballë Manchester Cityn dhe PSG-në.
Rrugëtim i vështirë edhe për Interin, që gjen përballë Liverpoolin, transfertën në Madrid ndaj Realit apo duelin në Dortmund.
Bayerni është besimplotë se mund të bëjë mirë. Bavarezët presin në Allianz Arena Arsenalin dhe udhëtojnë në Madrid ndaj Atleticos, në dy provat delikate që mund të kenë gjermanët në këtë fazë.
Shorti i Champions League dhuron përballje spektakolare: Rodri
Faza e ligës nis më 8 shtator. Champions League do të jetë edhe këtë sezon me formatin e ri. Nuk ka më grupe klasike, pasi 36 skuadrat renditen në një tabelë të vetme. Çdo ekip do të luajë 8 ndeshje ndaj 8 kundërshtarëve të ndryshëm, katër në shtëpi dhe katër në transfertë.
Sipas rregullores, 8 skuadrat e para do të kalojnë direkt në fazën e 1/8-ave. Nga vendi i 9-të deri në të 24-tin do të luajnë në play-off për një biletë drejt 1/8-ave, ndërsa ekipet që do të pozicionohen nga vendi i 25-të deri në të 36-in do të eliminohen nga kompeticionet europiane.





