TIRANË – Kryeministri Edi Rama zbuloi mbrëmjen e sotme se do të kandidojë për deputet në Tiranë në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e 105-vjetorit të Tiranës kryeqytet, Rama deklaroi se do ti bashkohet skuadrës së kryeqytetit në zgjedhjet e përgjithshme duke hequr kështu mundësinë e kandidimit të tij si deputet në Shkodër (ashtu siç edhe kishte deklaruar më herët.)
Rama u shpreh se më 11 Maj do të jetë në Tiranë ku sipas tij gjithçka do të jetë mavi, dhe se këto zgjedhje do ti japin Shqipërisë numrin më të lartë që i ka dhënë ndonjëherë të deputetëve.
Rama: Më 11 maj, falë edhe blerjes së fundit të skuadrës, marrjes së Braçes në Tiranë, kutitë e votimit do jenë një mavi flakëritëse cep më cep në çdo njësi, në çdo lagje, në çdo qendër. Patjetër vetvetiu falë edhe asaj që ndodhi dje edhe për mua është e qartë se duhet të jem në Tiranë bashkë me gjithë skuadrën. Edhe nuk diskutohet më 11 maj Tirana do i japi Shqipërisë numrin më të madh që i ka dhënë ndonjëherë të deputetëve.
