Ra në kontakt me rrymën elektrike, 27-vjeçari humb jetën në Spitalin e Traumës

TIRANË- Një 27-vjeçar ka humbur jetën fatalisht ditën e sotme pasi ka rënë në kontakt me rrymën elektrike. Sipas informacioneve paraprake, i riu nga Bathorja është dërguar në Spitalin e Traumës në gjëndje shumë të rëndë shëndetësore.

Sipas njoftimit të Policisë, i riu i identifikuar si Roland Toshi ishte duke rregulluar depozitën e ujit mbi banesë dhe ka rënë në kontakt me telat e linjës elektrike që ndodheshin mbi banesë. Pas përpjekjeve të shumta nga mjekët për ta shpëtuar, fatkeqësisht ai nuk ka arritur të mbijetojë.

Njoftimi i Policisë:

Kamëz/Informacion paraprak

Rreth orës 20:00, është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës shtetasi R. T., rreth 27 vjeç, i cili dyshohet se, teksa ndodhej në banesën e xhaxhait të tij, në rrugën “Adriatik”, lagjja nr. 5, Kamëz, duke rregulluar depozitën e ujit mbi banesë, ka rënë në kontakt me telat e linjës elektrike të tensionit të lartë, të cilat ndodheshin sipër banesës. Si pasojë e dëmtimeve të marra, 27-vjeçari ka humbur jetën në spital. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.