Qeveria shpall pasuri kulturore Qendrën Historike të Dhërmiut, miratohet plani i mbrojtjes

Qeveria ka vendosur të shpallë si pasuri kulturore të paluajtshme Qendrën Historike të fshatit Dhërmi, duke përcaktuar njëkohësisht edhe zonën e saj mbrojtëse.

Vendimi, i miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë, është propozuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe bazohet në ligjin “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”.

Sipas vendimit, synohet ruajtja dhe mbrojtja e vlerave historike dhe arkitektonike të zonës.

Paralelisht, Qeveria ka miratuar edhe planin për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e Qendrës Historike dhe zonës përreth, i cili do të shërbejë si dokument bazë për menaxhimin e pasurisë kulturore.

Vendimi parashikon që hartat e zonës të publikohen në Gjeoportalin Kombëtar, ndërsa Agjencia Shtetërore e Kadastrës të kryejë regjistrimin përkatës.

Për zbatimin e tij janë ngarkuar Ministria e Turizmit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe Bashkia Himarë.