Publikohet fotoja e Bleona Çobaj, nënës që humbi jetën me dy fëmijët e saj në tragjedinë e Shkodrës

SHKODËR, 30 korrik 2026 – Është publikuar fotoja e Bleona Çobaj (Çelaj), 24-vjeçares që humbi jetën së bashku me dy fëmijët e saj të mitur në tragjedinë e rëndë të ndodhur në fshatin Domen të Postribës, në Shkodër.

Nëna e re dhe dy fëmijët e saj, Amar dhe Anuar Çelaj, përkatësisht 18 muajsh dhe 3 vjeç, humbën jetën pasi banesa e vjetër familjare ku ndodheshin u përfshi nga zjarri në rrethana që po hetohen ende nga autoritetet.

Familja Çelaj, e cila jetonte në Gjermani dhe kishte ardhur në Shqipëri për pushime, kishte shkuar në banesën e vjetër në Domen për ta pastruar dhe për të qëndruar disa orë aty. Por ajo që duhej të ishte një vizitë familjare u kthye në një ngjarje tragjike.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, tre viktimat janë gjetur shumë pranë njëra-tjetrës brenda banesës së djegur. Dyshohet se në momentet e zjarrit nëna ka tentuar të mbronte fëmijët e saj. Foshnja 18-muajshe është gjetur në krahët e saj, ndërsa fëmija tjetër pranë tyre.

Hetimet paraprake kanë ngritur dyshimin se zjarri mund të ketë nisur nga një problem me një bombolë të vogël gazi, e cila është gjetur pjesërisht e dëmtuar në vendngjarje dhe është sekuestruar si provë materiale.

Bashkëshorti i viktimës ka deklaruar para hetuesve se familja kishte marrë me vete edhe një shishe benzine për disa punime në banesën e vjetër. Ai ka treguar se ishte larguar për pak kohë për të blerë disa produkte dhe, gjatë mungesës së tij, shtëpia ishte përfshirë nga flakët.

Banesa ndodhej në një zonë të izoluar, pa ndërtesa të tjera pranë, çka ka bërë që zjarri të konstatohej me vonesë. Terreni i vështirë dhe mungesa e një njoftimi të menjëhershëm kanë ndikuar në pasojat fatale të ngjarjes.

Ekspertiza do të përcaktojë shkakun përfundimtar të zjarrit, ndërsa opinioni publik vijon të jetë i tronditur nga humbja e nënës së re dhe dy fëmijëve të saj.