Procedohen penalisht dy persona pasi dyshohen se kanosën gazetarin në aksin Librazhd–Elbasan

Dy persona janë proceduar penalisht nga Policia e Elbasanit, pasi dyshohen se kanë kanosur një gazetar gjatë lëvizjes në aksin rrugor Librazhd–Elbasan. Sipas policisë, ngjarja është raportuar nga vetë gazetari, ndërsa pas veprimeve të para hetimore dhe administrimit të provave, ndaj dy shtetasve ka nisur procedimi penal për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”. Materialet i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve.

Deklarata e policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë, kryen veprimet e para hetimore dhe nisën procedimin penal për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”, ndaj shtetasve R. T., 33 vjeç, banues në Tiranë dhe A. B., 31 vjeç, banues në Librazhd.

Më datë 17.07.2026, rreth orës 14:00, në Sallën Operative të Policisë ka njoftuar shtetasi O. S., gazetar, i cili ka deklaruar se, gjatë lëvizjes në aksin rrugor Librazhd–Elbasan, është ndjerë i kanosur nga dy shtetas që udhëtonin me një automjet.

Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore dhe administrimit të provave, nisi procedimi penal ndaj dy shtetasve për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.