“Populli në rrugë, pushteti në jaht”, ironia e protestuesve kundër Ramës: Shijo pushimet e fundit të lirisë

Qytetarë janë mbledhur sërish këtë të mërkurë në protestën e 67-të radhazi kundër qeverisë.

“Populli në rrugë, pushteti në jaht” është një nga pankartat që ka tërhequr vëmendjen gjatë protestës së sotme kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Përmes kësaj pankarte, protestuesit kanë ironizuar pamjet e publikuara të kryeministrit Rama duke lundruar me skaf në Dhërmi, ndërsa protestuesit vijojnë tubimet e tyre në Tiranë.

Protestuesit kanë përdorur këtë mesazh si një kritikë ndaj asaj që ata e konsiderojnë distancë mes qeverisë dhe shqetësimeve të qytetarëve.

Ndërsa aktivisti Edison Lika, gjatë protestës së 67-t komentoi fotot që qarkulluan në rrjetet sociale dhe që tregojnë kryeministrin Edi Rama duke lundruar me skaf në Dhërmi.

Duke folur para protestuesve, Lika iu drejtua kryeministrit me një mesazh politik, ndërsa deklaroi se protestat do të vijojnë edhe gjatë muajit gusht.

“Në ditën e 67 të kësaj proteste kanë qarkulluar disa foto në të cilat shihet ish-kryeministri Rama menjë skaf. Nga ky shesh i themi Shijo pushimet e fundit në liri. Ky shesh do vazhdojë të jetë plot çdo ditë të këtij gushti sepse pushimet tona janë. Ky objekt që është pas nesh që është objekti i kryeministrisë, nuk ka qenë kurrë më i përfaqësuar se nga ju që jeni në shesh. I drejtohemi SPAK me thirrjet: Hetoni Ramën”, tha ai.