KAVAJË – Policia ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale në Kavajë, pasi një 47-vjeçar u ndalua në kohë teksa dyshohet se po shkonte i armatosur drejt një hoteli, me qëllim vrasjen e personave që kishin dhunuar nipin e tij 18-vjeçar.
47-vjeçari M. N., banues në Kavajë, u ndalua nga shërbimet e Policisë në afërsi të hotelit. Gjatë kontrollit të automjetit të tij, në një çantë shpine u gjet një armë zjarri automatike, kallashnikov, 3 karikatorë dhe 84 fishekë luftarakë.
Ngjarja nisi pas një konflikti në një hotel në zonën e Malit të Robit, në Golem, ku 18-vjeçari G. N., i cili punonte si kamerier, dyshohet se u dhunua për shkak të një konflikti lidhur me pagesën për punën e kryer.
Sipas Policisë, në dhunimin e 18-vjeçarit dyshohet se janë përfshirë F. H., A. F., E. D. dhe M. M. I riu ndodhet në Spitalin e Kavajës, nën kujdesin e mjekëve.
Gjatë veprimeve hetimore, Policia mori informacion se xhaxhai i 18-vjeçarit, M. N., ishte armatosur dhe ishte nisur drejt hotelit, me qëllim vrasjen e personave që kishin dhunuar nipin e tij.
Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë dhe Stacionit të Policisë Golem bëri të mundur ndalimin e 47-vjeçarit përpara se situata të përshkallëzohej.
Nga hetimet rezultoi gjithashtu se vendngjarja ishte pastruar pas konfliktit, ndërsa DVR-ja e kamerave të sigurisë ishte hequr dhe kabllot ishin prerë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestuan F. H., 28 vjeç, dhe E. D., 20 vjeç. A. F., 36 vjeç, u shpall në kërkim, ndërsa M. M., 36 vjeç, u procedua në gjendje të lirë.
Në pranga përfundoi edhe M. N., 47 vjeç, për shkak të armës dhe municioneve që iu gjetën në automjet, si dhe dyshimeve se ishte nisur drejt hotelit për të kryer një vrasje.
Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e përgjegjësive të personave të përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.




